Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani, në Prishtinë filloi edicioni i dytë i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Gjatë dy ditëve, do të trajtohen shumë çështje që ndërlidhen me gratë, trajtimin e tyre dhe të drejtat.
“Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndiej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës…”, tha Osmani.
Në këtë ngjarje mori pjesë virtualisht edhe ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton. Ajo vuri theksin te dy gra që u zgjodhën presidente në Kosovë.
“Pas shumë vitesh ia keni dalë që të siguroni për viktimat e dhunës seksuale, ju keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjell më shumë rezultat”, tha Clinton.
Rëndësi iu dha edhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, për të cilat liderët e shteteve fqinje kërkuan drejtësi.
“Ne dënojmë fuqishëm të gjitha llojet e dhunës seksuale. Nuk duhet përdorur. Është e papranueshme dhuna seksuale si instrument i luftës dhe frikësimit. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për këto krime”, tha presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
“Ndër ata që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve janë gratë”, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Shembull i forcës në këtë aspekt, është Vasfije Krasniqi.
Presidentja Osmani ka ndarë medalje presidenciale për gratë e Afganistanit, siç tha ajo, për trimërinë dhe kontributin e tyre.
Pastaj, u mbajt edhe ceremonia e nënshkrimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mblodhi në Prishtinë rreth 1 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota. Tema si këto të së hënës do të diskutohen edhe të martën, në ditën përmbyllëse të edicionit.
Ky është forumi i dytë i llojit të vet në historinë moderne të Kosovës.





