Përgatiti: Nora Luta
Procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, është drejt fundit.
Këtë të hënë në Gjykatën Speciale ZPS-ja ka paraqitur fjalën përfundimtare, duke kërkuar dënim maksimal për Shalën.
Gjatë paraqitjes së deklaratave përmbyllëse u tha se Shala kreu krime ndaj civilëve në një fabrikë në Kukës që përdorej si shtab lokal i UÇK-së.
Të rrahësh persona që nuk mund të mbrohen nuk është luftë, është një akt frikacak i pajustifikueshëm dhune. I akuzuari nuk bëri asgjë për t’ua lehtësuar dhimbjet. Ai rrahu njërin pas tjetrit dhe koha nuk e ka ndryshuar karakterin e tij. Për të gjitha këto arsye, ai meriton dënim të rëndë!”, tha prokurori i ZPS-së, Filippo De Minicis.
Prokuroria pretendon se një prej viktimave të Shalës vdiq nga maltretimet në fabrikën e Metalit në Kukës, ndërsa të tjerët që mbijetuan kanë shenja të përhershme fizike.
“Viktimat e krimeve të të akuzuarit nuk mund të largoheshin. Një prej tyre, vdiq në fabrikën e metalit të Kukësit e të tjerat kanë shenja të përhershme fizike e përndiqen prej asaj përvoje. Ata nuk mund të harrojnë. Ata dhe familjet e tyre na kanë përshkruar traumën e gjatë dhe të thellë prej të cilës vuajnë”, tha De Minicis.
Pjetër Shala akuzohet për krime lufte gjatë periudhës maj-qershor 1999 dhe pretendimet e ZPS-së janë se ai mban përgjegjësi penale individuale rreth ndalimit të disa civilëve në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021, ndërsa gjatë gjykimit i cili nisi në shkurt të vitit të kaluar, janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë.
Seanca pritet të vazhdojë edhe të martën, gjatë së cilës do të paraqitet fjala përfundimtare nga mbrojtja.





