6.1 C
Pristina
Sunday, May 3, 2026

4 bijat e dëshmorit Gafurr Hyseni vizitojnë varrin e babait, rrëfejnë për ditën e trishtë

Përgatiti: Kastriot Tahiri

Dhimbja e krenaria i bashkoi edhe këtë përvjetor katër bijat e dëshmorit Gafurr Hyseni, nga fshati Sllovi i Lipjanit.

Tash e 25 vjet bashkë me pranverën thonë se iu kthehen edhe kujtimet e trishta, ato të momentit të ndarjes nga babai i tyre.

Dhimbja qe e madhe për të gjithë, por më së rëndi e përjetoi Elifja, që në atë kohë ishte 8 vjeçe.

“Kamioni i ka pasë do cerada të biruara, përmes tyre kom shikua, e kom pa si fëmijë kur babin e ka marrë e e kam pa që diçka ka me ndodhë. Vetëm i kam dëgjua krismat dhe e kam ditë që babin e kanë vra. Edhe sot dhimbja është e njëjtë, isha vetëm 9 vjeçe kur armiku hyri në fshatin tonë dhe i vrau shumë njerëz”, tha Elife Hyseni, vajza e dëshmorit Gafur Hyseni.

“Sa kemi qëndruar tri javë në fshatin Smallushë, e kemi lypë shumë ku është aga pse krejt po vinë e ai s’po vjen, rast shumë i rëndë e në fund e kemi kuptua. Vinin organizatat na thoshin po ju çojmë jashtë ku doni te familjarët, po nëna e gjyshja s’kanë pranuar se thonin e kemi agën këtu pa varros. E le që e kanë mbytë po ia kanë kallë edhe kufomën”, tha Ganimete Hyseni, vajza e dëshmorit Gafur Hyseni.

Me lot në sy, djersa ia mbuloi ballin, Gafurr Sopa tregon për 6 familjarët e tij që ia vranë para syve.

“Këtu e kam djalin e vëllait, djalin e mixhës, djalin e hallës, tre kushëri. Na jemi kanë në atë masakër vetë e kemi përjetuar, në duar tona kanë vdekur. Jemi mundu të plagosurve me iu ofrua ndihmë e të vdekurit me i varrosë. Secila datë është e ranë se na kthejnë në atë kohë, çdo rivarrim ka qenë plagë për krejt fshatin”, tha Sopa.

Në kujtim të 45 dëshmorëve e martirëve të fshatit Sllovi të komunës së Lipjanit, homazhe bënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kryeparlamentari Glauk Konjufca. Nga ky fshat kërkuan drejtësi, duke thënë se të masakruarit janë dëshmia e së drejtës.

Për vrasjen e 13 civilëve në këtë masakër, Gjykata Themelore në Prishtinë, në vitin 2021 e kishte dënuar Goran Stanishiqin, me 20 vjet burg.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA