Përgatiti: Fatlum Jashari
Konsumatorët e dëmtuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, si mbulesë për veriun, do të kompensohen çdo muaj, në shpërndarje të njëjtë kohore, nga Qershori 2024 deri në Shkurt të vitit 2030.
Në zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike, përkatësisht KEDS, të kryejë kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.
Përfitues nga ky vendim do të jenë vetëm konsumatorët që, sipas data-bazës, vërtetohet se janë dëmtuar gjatë periudhës në fjalë.
“OBLIGOHEN – Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), që kompensimi konsumatorëve sipas dispozitivit nën pikën ll të këtij Vendimi, të bëhet duke zbritur faturat në baza mujore në vlerën përkatëse, për periudhën nga 01 qershor 2024 – 28 shkurt 2030”, thuhet në vendimin e ZRRE-së.
Në bashkëpunim me furnizuesin e licencuar, KEDS-i është i obliguar që, në faturë, të evidentojë vlerën e kompensimit ndaras nga shpenzimet e rregullta mujore.
Ndonëse në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, për disa muaj, shpërndarës kanë qenë edhe KEK-u dhe KOSTT-i, vendimi i Gjykatës obligon KEDS-in të kryejë kompensimin si operator i licencuar i shpërndarjes më 2013, pas privatizimit të këtij shërbimi.
Konsumatorët nga 34 komunat, për pesë vjet e tetë muaj, u përballën me fatura të fryra për të mbuluar humbjet, si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.