Përgatiti: Arian Hajdaraj
Të premten kur planifikohej të niste regjistrimi popullsisë, rrugëve të Mitrovicës së Veriut gjëkundi nuk u panë zyrtarët që janë angazhuar që ta kryejnë këtë proces.
Regjistruesit nga komuniteti serb u tërhoqën në momentet e fundit, ngjashëm siç ndodhi edhe në Zubin-Potok e Zveçan, andaj trajnimi i zëvendësuesve, do ta zvarrisë procesin të paktën për disa ditë.
“Kemi pasur regjistrues mjaftueshëm, por disa janë tërhequr për shkak të trysnisë. Kemi gjetur prapë regjistrues. Të hënën do të fillojë trajnimi dhe besoj se do jenë të gatshëm”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.
Për shkak të tërheqjes së zyrtarëve regjistrues, qytetarëve iu pamundësua edhe informimi.
Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë së Statistikave bëri thirrje për pjesëmarrje, sepse s’do kenë mundësi të dytë siç kishin kërkuar pas bojkotit të vitit 2011.
“Në vitin 2011 ata refuzuan, por 3 vite më pas i kërkuan BE-së që të regjistrohen. Ne nuk pranuam. Andaj iu bëj thirrje tash që të regjistrohen”, tha Kastrati.
Mirëpo, pavarësisht zëvendësimit të zyrtarëve dhe thirrjes së kryeshefit të ASK-së, sipas shoqërisë civile, në komunat në veri do të ketë vështirësi të realizohet ky proces.
“Për procesin e regjistrimit nuk kishte kampanjë njoftuese. Vlerësoj se pak nga qytetarët dinë për këtë proces – kur fillon e kur përfundon. Këtu nuk kishte po ashtu ndonjë sinjal nga Beogradi zyrtar nëse e mbështet regjistrimin apo jo. Krahas kësaj, në ditët e fundit Lista Serbe bëri thirrje për bojkot”, tha Aleksandar Sljuka, anëtar i Shoqërisë Civile.
Në mëngjesin e së premtes, Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që ta bojkotojnë procesin e regjistrimit.
Në vitin 2011, qytetarët serbë me kërkesë të Beogradit kishin bojkotuar procesin e regjistrimit të popullsisë.