Përgatiti: Sara Shehu
Në vitin 1996 u regjistrua një rast i lindjes së pesënjakëve nga një nënë kosovare, që ishte rasti i vetëm i tillë në Kosovë. 28 vjet pas, një rast i ngjashëm, me katërnjak, ndodhi të mërkurën, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se rastet e tilla janë të rralla në vendin tonë.
“Katërnjakët janë lindje të rralla, 1 rast në 700 mijë lindje, rasti i fundit ka qenë një pesënjak nga Vushtrria para luftës, këto janë shumë të rralla… Me binjakë dhe trinjakë kemi shpesh, p.sh. 3-4 raste, por me katërnjak s’kemi pasur vitin e kaluar… Katërnjakët kanë lindë me pesha të vogla dhe kanë mbijetu”, tha Ndrejaj.
Më tej Ndrejaj thotë se 26-vjeçarja nga Podujeva bashkë me katërnjakët, tre djem e një vajzë, tashmë gëzojnë shëndet të mirë dhe se po vazhdojnë të jenë në mbikëqyrje të stafit mjekësor në klinikën e Neonatologjisë.
“Rasti është shtri në kliniken tonë në javën e 26-të të shtatzënisë, ka qëndru në klinikë 6 javë. Operacioni ka ndodhur me prerje cezariane, tani është e shtrirë në klinikën e neonatologjisë dhe kanë gjendjen e mirë shumë bebat dhe nëna. Shtatzania ka ndodhë me proces natyral me rrugë natyrore, ka raste kur nëna kryen pa operacion lindjet por për shkak të komplikimeve është më mirë me operacion në mënyrë që bebat të nxirren në mënyrë të duhur”, tha Ndrejaj.
Vetëm gjatë vitit 2023 në këtë klinikë janë regjistruar 11 lindje të trinjakëve dhe 225 lindje me binjakë.
Megjithatë, Ndrejaj shprehet i shqetësuar me rënien e numrit të lindjeve që nga paslufta e tutje. Bazuar në statistikat e menaxhmentit të klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, gjatë vitit 2023 në të gjitha spitalet publike të Kosovës janë kryer gjithsej 8 mijë e 100 lindje, prej tyre me prerje cezariane janë 3 mijë e 10.
Shqetësues mbetet edhe numri i ulët i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën e Gjinekologjisë, ku në repartin e lindjeve punojnë vetëm 5 mami dhe më shumë se 20 infermierë.