Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës, derisa shtoi se nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi dhe krijohet shteti.
Në seancën solemne të mbajtur sot në nderim të 25 vjetorit të Betejës së Koshares, Kurti ka deklaruar se në luftimet e kësaj beteje janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Kurti potencoi se në mes të këtij viti do të përmbushet një çerekshekull prej kur Kosova dhe populli i saj u çliruan nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit.
“Zhvillimet e së kaluarës, qoftë edhe të saj para pak vitesh sot i shohim si procese historike e i lexojmë si histori në të tashmen. Kjo është arsyeja kryesore pse një histori e para 25 viteve na ka mbledhur sot këtu në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës në këtë seancë solemne për 25 vjetorin e Betejës së Koshares. Në mes këtij viti do të përmbushet një çerekshekull prej kur vendi ynë Kosova dhe populli i saj u çliruan nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit… Beteja e Koshares zgjati mes luftimesh nga 9 prilli e do të mund të thoshim deri më 10 qershor të vitit 1999. Pranoma e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature. Aty e shohim se ne luftimet e betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë. I shohim të përfshirë me gryka artilerie dhe ushtarët shqiptarë të divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hidhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej aso kohe Jugosllavi e Millosheviqit”, tha Kurti.
Përveç këtyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti potencoi se liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtet formimit integral.
Kurti tha se gjatë betejës së Koshares, në radhët e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rus, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm.
Ai ka shprehur mirënjohje dhe lavdi për të gjithë dëshmorët dhe të plagosurit në betejat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Në betejën e Koshares, teksa në radhën e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rus, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm. Liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtet formimit integral. Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti. Andaj, nga Kuvendi i Kosovës sot u shprehim mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në luftimet e betejës së Koshares nga të cilët 380 u plagosën. Lavdi 114 dëshmorëve të rënë në betejën e Koshares dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë”, theksoi Kurti.
Ndryshe në Betejën e Koshares, ranë 114 dëshmorë të Kombit, prej të cilëve ka të dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës.
Në këtë betejë kishin marrë pjesë edhe vullnetarë ndërkombëtar, shtetas të huaj nga: Italia, Franca etj./kp