Përgatiti: Arton Hamiti
Për jetësimin e programit për banim të përballueshëm, për të cilin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tashmë ka hartuar projektligjin, janë angazhuar dhjetë ekspertë – disa prej tyre aktivistë të partisë në pushtet.
Ekspertët e angazhuar përmes një tenderi, për 12 muaj do të përfitojnë nga 8400 deri në 11 mijë euro.
Njëri nga ata që nënshkroi kontratë, i angazhuar si profesionist i fushës së ekonomisë është edhe Abdyl Gashi, ish-kryetar i degës së Vetëvendosjes në Artanë. Aktualisht ai është anëtar i kësaj partie.
Gashi nuk i ka kthyer përgjigje televizionit as pas dy ditësh pritjeje.
I angazhuar si ekspert i ndërtimit është edhe Ibrahim Ajupi, gjithashtu aktivist i Vetëvendosjes. Megjithatë, Ajupi tha se kjo nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e tij. Ai shtoi se konkurrenca nuk ishte e madhe.
“Unë jam inxhinier me shumë përvojë, kandidat në doktoratë dhe kam ekspertizë të madhe në projektim dhe menaxhim të projekteve. Mendoj që edhe po të kishte konkurrencë do të isha favorit në konkurs. Por pasi që nuk kishte interesim e as konkurrencë, nuk kisha as nevojë për favorizim, të jeni të sigurt që ishte thjesht një konkurrim i imi në një projekt në të cilin do të mundohem të jap kontribut”, tha Ajupi.
Në tenderin që kap vlerën prej 100 mijë eurosh, kishte aplikuar edhe Donjeta Alloqi, e cila ishte diskualifikuar pas ankesave.
“Ministria e Mjedisit, me 20 shkurt pezulloi lëndën dhe ktheu përgjigje për tre pjesëmarrësit të cilët janë ankuar. Dy prej tyre marrin përgjigje negative, ndërsa një tjetër i cili në vendimin e datës 14 shkurt ishte refuzuar sepse nuk e ka pasur dokumentacionin të kompletuar, duke i munguar “Deklarata nën Betim”, tani ministria thotë që personi në fjalë e paska pasur Deklaratën, por s’e kemi pa. Me këtë arsyetim (që duket banal) e bënë rishqyrtimin edhe një herë, ku mua më largojnë duke e shpërblyer personin në fjalë me kontratë”, ka thënë Alloqi.
Meqë, nuk kishte shpresë se do ta fitojë lëndën, Alloqi vendosi të mos i ndjekë procedurat deri në fund.
“Më 14 mars është refuzuar kërkesa ime, e cila është konsideruar si e pabazuar. Pas kësaj kam mundur t’i drejtohem OSHP-së, por nuk e kam bërë, sepse pas konsultimit me avokatin, nuk më dha shumë shpresë që mund të fitohet një lëndë e tillë. Nuk besoj që duhet ta theksoj se sa e dëshpëruar jam me gjithë këtë proces”, ka thënë më tej Alloqi.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ktheu përgjigje se me çfarë kriteresh janë përfituar kontratat. Sidoqoftë, për të gjithë të kontraktuarit pritet t’i shpenzojë 105 mijë e 600 euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: