Përgatiti: Gjelbrim Berisha
32 avionë luftarakë të ushtrisë kineze janë detektuar përreth ishullit të Tajvanit. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se avionët e ushtrisë kineze u kapën duke fluturuar gjatë 24 orëve të fundit dhe se ky numër i fluturakeve kineze llogaritet të jetë i dytë më i lartë për nga numri që ka ndodhur gjatë këtij viti.
Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit, po ashtu, tha se në 24 orët e fundit janë detektuar edhe pesë anije të Marinës së Kinës përreth Tajvanit.
Trembëdhjetë avionë “kanë kaluar vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit”, që njihet si kufiri jozyrtar mes Kinës dhe Tajvanit, u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Forcat e armatosura të Tajvanit kanë “monitoruar situatën dhe kanë dislokuan një avion patrullues, anije të Marinës, dhe sisteme të mbrojtjes raketore si përgjigje ndaj aktiviteteve të detektuara”.
Detektimi i këtyre avionëve pasoi zgjedhjet presidenciale të 13 janarit, të cilat i fitoi zëvendëspresidenti aktual, Lai Ching-te, të cilin Pekini e kundërshton.
Muajin e kaluar, Tajvani tha se 11 luftanije kineze u detektuan përreth ishullit – numri më i madh gjatë këtij viti, teksa Tajpei dhe Pekini u përplasën rreth një incidenti vdekjeprurës të një anijeje peshkimi. Anija kineze e peshkimit, me katër persona në bord, u fundos më 14 shkurt afër Tajvanit, teksa po ndiqej nga rojet bregdetare tajvaneze. Gjatë këtij incidenti, dy persona u vranë dhe dy të tjerë shpëtuan.
Ky incident ndodhi në kohën kur tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë të larta.
Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, ministria e mbrojtjes së Tajvanit kishte detektuar 33 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të saj dhe nuk e përjashton mundësinë që një ditë të marrë kontrollin e tij, qoftë edhe me forcë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: