Përgatiti: Kastriot Tahiri
Pamje Kartolina “Kur të rritesh, shpresojmë që ta shikosh këtë kartolinë dhe ta ndjesh se sa i rëndësishëm je për ne”.
Kjo është dhurata e parë që do ta marrë tash e tutje, një fëmijë i porsalindur në Kamenicë. Për çdo foshnjë, komuna ka vendosur t’i dhurojë edhe nga 80 produkte tjera.
Pakoja përfshin shtratin e parë, rroba për të gjitha stinët dhe gjëra tjera të nevojshme për fëmijën. Mirëpo, është menduar edhe për nënën.
Sipas kryetarit të komunës, Kadri Rahimaj, kjo po bëhet që asnjë foshnjë e posalindur të mos ketë mungesë të gjërave elementare.
“Ideja ka ardhur sepse e shohim që të gjithë fëmijë të kenë një start të barabartë dhe meritojnë të rriten në mënyrë të barabartë brenda familjes dhe shoqërisë. Jemi kujdesur që produktet të jenë shumë cilësore, përmbajnë pambuk organik, përmban pako të kujdesit edhe për nënën. Vetë pako mund të shfrytëzohet si shtrati i parë i bebes, sepse mban 10 kilogram”, tha Rahimaj.
Edhe pse prindërit janë bërë gati paraprakisht me rroba të vogla, e mirëpresin dhuratën komunale për fëmijët e tyre.
“Patjetër është një vendim shumë i qëlluar i komunës, sepse është një trajtim i barabarta dhe gjithsesi është një fillim i mirë edhe për fëmijët edhe për prindërit. Kjo po më gëzon shumë e më ndihmon shumë e vlerësoj shumë vendimin që e ka marr komuna”, thotë një qytetare.
“Më ka pëlqye shumë mua si nëne që jam, kam pa që janë bazat esenciale për një nëne dhe i ndihmojnë shumë në fazën e parë të lindjes”, thotë një qytetare tjetër.
Përveç kësaj, komuna ndan edhe nga 200 euro për fëmijën e parë, 250 për të dytin si dhe 300 për fëmijën e tretë.
Ndërkaq, Komuna e ka në plan të bashkëpunojë edhe me organizata ndërkombëtare si UNICEF, për të shtypur fletushka për këshilla prindërore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: