Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha që së bashku me partnerët, janë duke punuar që ta ndihmojnë Kosovën të arrijë qëllimin për të përfshirë në integrimet euro-atlantike.
Ai tha se Byroja për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit është prej programeve më të mëdha të SHBA-së për Kosovën dhe Shqipërinë.
“Është njëri prej programeve tona më të mëdha dhe mendoj se në të dyja shtetet, posaçërisht në Kosovë jemi duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës me shpresën t’i bëjmë pjesëtarët më efektivë, jemi duke bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë. Sot kisha mundësi të jashtëzakonshme që t’u dhuroj pajisje audio-vizuele që do t’i mundësojnë sistemit të burgjeve dhe gjykatave të punojnë bashkë për të krijuar audiencën në gjykata më transparente dhe më efikase por edhe më të sigurt. Jemi duke punuar që të ndihmojmë Kosovën të arrijë qëllimin për t’u përfshirë më lehtë në integrime euro-atlantike dhe jemi me fat që kemi partnerë të jashtëzakonshëm në këtë”, tha Robinson.
Ai thotë se pas rikthimit në Kosovë dhe Shqipëri pas më shumë se një dekade, tani po i sheh të dy shtetet që kanë avancuar dukshëm.
“Përshtypja e parë është që shumë gjëra kanë ndryshuar. Disa për të mirë, disa jo edhe aq. Mendoj se përfundimisht po i shohim dy shtete që kanë avancuar dukshëm por kanë edhe synime sepse e duan më të mirën për popujt e tyre dhe ne jemi këtu t’i ndihmojmë të arrijnë aty”, tha Robinson. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë: