Përgatiti: Armand Hoti
Rekrutimet ende po vazhdojnë.
Vetëm 250 kandidatë, në klasën e parë të vitit 2023, kaluan trajnimet për t’u bërë pjesë e Njësisë Speciale ushtarake më të madhe në Ballkan, që fqinji verior i Kosovës synon ta krijojë deri në fund të vitit aktual.
Kjo njësi pritet të numërojë një personel prej gjithsej pesë mijë anëtarësh. Andaj autoritetet serbe e kanë quajtur këtë nismë “Projekti 5000”.
“Sipas raportimit, presidenti Vucic po kërkon rritje të numrit të personelit të forcave speciale nga 1500 në 5000, nën të ashtuquajturin emërtim ‘Projekti 5000’’. Arsyeja e kësaj iniciative gjoja qëndron në sfidat dhe kërcënimet e perceptuara nga Qeveria e Serbisë, e cila, sipas saj, thekson nevojën për kapacitete të zgjeruara në kryerjen e operacioneve speciale, në një spektër më të gjerë operativ dhe strategjik. Me një ritëm të tillë, ‘Projekti 5000’ me shumë mundësi nuk do t’i përmbushë objektivat e tij, deri në afatin e caktuar – fundi i vitit 2024”, thuhet në raportin i QKSS-së.
Referuar raportit të Qendrës Kosovare për Studimet të Sigurisë, që adreson këtë çështje, implementimi i “Projektit 5000”, mund të rezultojë me mobilizim për furnizim me armatim të vendeve fqinje.
“Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndihen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh”, thuhet më tej në raportin i QKSS-së.
Andaj Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në raport ka paraqitur edhe disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës.
“Qeveria duhet të investojë më shumë në institucionet e inteligjencës dhe të zhvillojë aftësi të reja të mbledhjes së informatave për të ofruar paralajmërim të hershëm. Agjencia e Inteligjencës e Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të shtojnë mjetet dhe sensorët për të monitoruar situatën në veri të Kosovës, ndërsa policia kufitare duhet të rrisë prezencën dhe patrullimet e saj përgjatë kufirit me Serbinë. (ZBULIM) Qeveria duhet të rrisë bashkëpunimin me partnerët strategjikë në shkëmbimin e informacionit (ZBULIM)”, thuhet në raportin i QKSS-së.
Sipas të dhënave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, në vitin 2023 Forcat e Armatosura të Serbisë përbëheshin nga gjithsej 25 mijë trupa aktive.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: