Derisa qytetarët ankohen se nuk ka punë, punëdhënësit ankohen se nuk ka punëtorë.
Mekanizmat ndërmjetësues që bëjnë lidhjen mes punëkërkuesve dhe tregut të punës nuk funksionojnë si duhet, sipas njohësve të çështjeve socio-ekonomike.
Sipas tyre, çështja e punës nuk ka qenë kurrë temë politike në vend.
“Pa u bërë çështja e punës temë politike nuk ka demokratizim domethënës të shoqërisë së Kosovës. Ikja masive drejt perëndimit e ka origjinën pikërisht te çështja e demokracisë në vendin e punës, të ardhurat shumë të ulëta, pabarazia shumë e lartë, sistemi i mbrojtjes sociale i cili është tepër primitiv”, tha Artan Mustafa, socio-ekonomist.
Megjithatë, për ta rregulluar raportin punëtor – punëdhënës, Ministria e Financave ka bërë gati një Koncept-Dokument.
Ky ka për qëllim shkrirjen e 3 ligjeve, përfshirë atë për ofrimin e shërbimeve për të papunët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit, Ligjin për Agjencinë e Punësimit dhe atë për Aftësimin, Riaftësimin Profesional, në një ligj të vetëm; atë për politikat e tregut të punës.
Një nismë e tillë, vlerësohet se mund të ketë sukses në uljen e papunësisë në vend.
“Rritja e efiçiencës së administratës, do t’i kontribuojë implementimit më të suksesshëm të këtyre politikave. Nuk është me rëndësi çfarë rezultati kanë sot këto politika, sot për sot është me rëndësi fillimi i ndryshimit të paradigmës dhe nuk do të ketë maksimizim të shkallës së punësimit, nuk do të arrijmë shkallën e punësimit 60 për qind e më lart, pa një formë gjithëpërfshirëse”, tha Mustafa.
Një plan i tillë parashihet të kontribuojë në punësim më të lartë dhe gjithëpërfshirës, si dhe të zvogëlojë barrën administrative të bizneseve që ofrojnë shërbime të punësimit, për rreth 12 mijë euro.
Për t’u bërë i plotfuqishëm, sipas Ministrisë së Financave, këtij ligji do t’i duhen plot 2 vjet kohë. /atvlive.tv
Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: