Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Krahas përkushtimit ndaj Zotit, myftiu Naim Tërnava po i thërret besimtarët myslimanë që në Ramazan të jenë të mirë edhe me njëri-tjetrin, e sidomos me ata që kanë nevojë.
Ky është mesazhi që kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës po e përçon në konferencën e së dielës, një ditë para se të nis agjërimi i Ramazanit.
“Në këtë natë të madhe, në këtë atmosferë hyjnore ftoj besimtarët tanë kudo që janë që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve. Duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet mes vete”, tha Tërnava.
Përveç lutjeve për Kosovën, Tërnava lutet që të ketë paqe në tërë botën.
“Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet. Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund”, tha Tërnava.
Kurse përgjigjet ndaj çështjeve fetare, tha se duhet të kërkohen vetëm tek burimet kredibile të fesë.
“Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh dhe të Pejgamberit Muhammed a.s, të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve islame të shtetit tonë”, tha Tërnava.
Muaji i Ramazanit është periudha kur besimtarët përmbahen rreptësisht nga ngrënia, pirja dhe kënaqësitë trupore, që nga lindja e Diellit e deri në perëndim të tij.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: