Përgatiti: Driton Sadiku
Banorët në katër komunat në Veri, do të mund të votojnë për shkarkimin e kryetarëve, në javën e tretë të prillit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve caktoi 21 prillin si datë të përshtatshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, pas përmbushjes së kushtit të parë, që ishte peticioni më 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve.
Në të katër komunat kishte më shumë qytetarë sesa kërkohej për ta përmbushur kriterin prej 20 për qind.
Në Mitrovicë të Veriut peticionin e nënshkruan 4.148 qytetarë nga 18.199 sa ishin të regjistruar.
Në Zveçan kërkesës për peticion iu përgjigjën 1834 qytetarë nga 7.052 sa figurojnë të regjistruar me të drejtë vote.
3.030 nga 13.441 qytetarë hodhën nënshkrimet e tyre për shkarkimin e kryetarit edhe në Leposaviq.
Ndërkaq, në Zubin Potok nga gjithsej 6.732 votues pro shkarkimit të kryetarit, peticionin e nënshkruan 1576 qytetarë.
Megjithatë, kishte edhe nënshkrime të pavlefshme.
Rezultatet i pranuan, por për caktimin e datës për mbajtje të votimit, jo të gjithë ishin dakord.
Nëse në votimin e 21 prillit, arrihet 50 për qind plus një, pro shkarkimit të kryetarëve, Presidentes së vendit i duhet që në afat prej 30-45 ditë nga shkarkimi, t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat përkatëse.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: