Udhëheqës të komunës së Drenasit dhe Skenderajt u bënë bashkë për t’i kujtuar në 24 vjetorin e rënies heroin e kombit Ilaz Kodra, 42 dëshmorët dhe mbi 280 martirët e dy komunave.
Më këtë rast zbuluan edhe pllakën përkujtimore në fshatin Gllobar, e cila sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka simbolikë të veçantë.
“Në Gllobar, Drenas e Drenicë flasin përmendoret, flasin emrat e rrugëve, flasin emrat e shkollave, e shesheve, flasin rrudhat në ballin e bacës Murat. Këtu nuk ka vend për fjalë, vetëm për respekt, falënderim e mirënjohje. Këta kanë rënë për të mos vdekur kurrë”, tha Çitaku.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala tha se kjo pllakë përkujtimore shërben si dëshmi edhe për brezat e ardhshëm që të dinë se lufta për liri ishte e drejtë.
“Ky fshat u bë strehë për qindra të ikur nga fshatra përreth edhe pse duke qenë në afërsi të Drenasit rreziku ishte i përhershëm. Humanizmi juaj, dëshira për të qëndruar në tokat e shtëpitë e juaja i tregoi armikut se Kosova nuk është e tyre por e juaja. Por, si në çdo fshat në këtë rajon dhe më gjerë, në tërë Kosovën, liria erdhi me luftën, mundin, vuajtjet, gjakun e sakrificën e bijve më të mira, pllakën në nderim të cilën po e përurojmë sot. Ne çdoherë kujtojmë dëshmorët dhe martirët me dhimbje e respekt dhe kjo pllakë përkujtimore është dëshmi për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm se lufta ishte e drejtë”, tha Shala.
Njëjtë thotë edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari.
“Është mirë që po e vendosim këtë shenjë, edhe pse me vonesë dhe simbolike por të paktën ta kujtojmë luftën dhe të themi që këtu ka qenë një luftë e drejtë e UÇK-së dhe është bërë një masakër ndaj këtij populli të pafajshëm. Është dhimbje t’i kujtojmë pas 24-viteve, sepse ta hupësh një anëtar të familjes është punë e madhe por në anën tjetër është krenari, sepse pa luftën e UÇK-së, dëshmorët, martirët, pa veteranët e luftës në krye me komandantin legjendar, nuk do ta gëzonim sot këtë liri edhe pse nuk e kemi as lirinë të plotë, sepse synimi ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare”, tha Hajdari.
Më 30 prill kujtohen dëshmorët dhe martirët e rënë në këtë datë në vitin 1999 në fshatrat Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatra përreth. /atvlive.tv