Një grup hakerësh i lidhur me Rusinë ka komprometuar llogari email të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, në kuadër të një operacioni më të gjerë spiunazhi që synon Ukrainën dhe vendet e NATO-s.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike të grupit Ctrl-Alt-Intel, janë shkelur 28 llogari, ndërsa në disa raste hakerët kanë arritur të ridrejtojnë mesazhet hyrëse dhe të marrin akses të vazhdueshëm, edhe pas ndryshimit të fjalëkalimeve, duke komprometuar edhe sistemet e verifikimit me dy faktorë.
Autoritetet greke theksojnë se të dhënat e vjedhura nuk ishin të klasifikuara dhe se incidente të tilla menaxhohen nga strukturat përkatëse të mbrojtjes kibernetike.
Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në Rumani, Bullgari dhe Ukrainë, ku janë shënjestruar institucione ushtarake dhe të drejtësisë.
Ekspertët besojnë se operacioni lidhet me tensionet gjeopolitike dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit me NATO-n dhe Ukrainën.






