Përgatiti: Arian Hajdaraj
Xhelal Sveçla, Salih Zyba e Fitore Pacolli u paraqitën në seancën gjyqësore nën akuzën për hedhje të gazit lotsjellës, në vitin 2018, ndërsa Drita Millaku mungoi.
Thuajse menjëherë avokatët mbrojtës të deputetëve dhe tashmë ministrit Sveçla, deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha provat.
Megjithëse, prokurori deklaroi se Prokuroria do të angazhohet që mbrojtja të pajiset me të gjitha materialet e trupi gjykues mori vendim që seanca të shtyhet.
Por, në seancën e radhës më 26 mars, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët do të përballen me një akuzë më pak, meqë ajo për pengim të personit zyrtar do t’iu parashkruhet sepse më 21 mars bëhen 6 vjet nga koha prej kur është kryer vepra.
Akuza e dytë, ajo për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, e dënueshme me 1 deri në 8 vjet, nuk mund të parashkruhet deri në vitin 2038.
Pikërisht për hedhje të gazit lotsjellës, ditë më parë u lirua Glauk Konjufca. Këtë vendim të gjykatës nuk e kishte pritur as ai vetë.
“Por, që lirohem krejt, ka qenë befasi edhe për mua. Kam pritur që të jetë dënim ose me kusht, ose me gjobë. Nuk do ta kisha problem që të jem i dënuar”, ka deklaruar Konjufca.
Trupi gjykues kishte deklaruar se nuk është provuar nëse Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke shtuar se asnjë nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën.






