Përgatiti: Nora Luta
Përveç në zyrën alternative në Çabër, qytetarët e Zubin Potokut nga java e fundit e muajit shkurt, mund të marrin shërbime komunale në objektin komunal.
Për herë të parë pas nëntë muajsh, komuna veriore që drejtohet nga Izmir Zeqiri po kryen shërbime për qytetarë, në objektin që vazhdon të sigurohet nga Policia e Kosovës.
Zeqiri ka konfirmuar për ATV-në se janë funksionalizuar tri zyra që do të ofrojnë shërbime për pajisje me dokumente identifikuese, regjistrim të automjeteve dhe të bizneseve. Ai shtoi se gradualisht e gjithë puna do të kryhet nga ky objekt.
E disa nga ta që pranuan të flasin para kamerës u shprehën të lumtur me rikthimin e punës.
Komuna e Zubin-Potokut nga maji i vitit 2023 udhëhiqet nga Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjeve komunale që u mbajtën në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Por Zeqiri postin e tij e ushtron ende nga zyra në Çabër, pasi qytetarët kundërshtuan futjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, në objektet komunale dhe prezencën e policisë.
Zgjedhjet sollën tensione jo vetëm në Zubin Potok, por edhe në Zveçan e Leposaviq.
Objektet komunale po vazhdojnë të sigurohen nga Policia, teksa në Zveçan javën e kaluar u tërhoqën pjesëtarët e KFOR-it.