Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Për herë të parë, Komuna e Skenderajt nuk është përfshirë në Këshillin Organizativ të shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, e cila shënohet më 5, 6 dhe 7 mars.
Sipas vendimit të publikuar nga Qeveria, pjesë e këshillit do të jenë disa ministra dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.
E mospërfshirja e komunës në të cilën ishte zhvilluar ngjarja që i dha kthesë luftës, konsiderohet e padrejtë nga zyrtarët në Skenderaj.
“Më e keqja ka qenë se ne e kemi marrë vesh lajmin krejt tash në prag të epopesë, madje edhe përfaqësuesin e kemi pas gati kur të na kishin ftuar, është hera e parë, shumë absurde në vendin ku veç shënohet kjo epope të mos përfshihemi”, tha zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.
Pavarësisht kësaj, Komuna e Skenderajt do t’i vazhdojë aktivitetet sipas agjendës së përcaktuar vetë.
“Ne i kemi aktivitetet në nivel lokal, dhe pavarësisht kësaj do të vazhdojmë me aktivitetet e planifikuara nga ne komuna…”, tha Lushtaku.
Por, sipas asamblistit të Vetëvendosjes, Hysni Mehani, ka arsye përse komuna nuk u përfshi në këshillin organizativ.
“Ka mundësi që s’e kanë përfshirë Skenderajn për shkak se vitet paraprake nuk ka arritur fort rezultat apo ndonjë përfshirje, kontribut të kënaqshëm edhe pse ishte pjesë e këshillit”, tha Mehani.
Sidoqoftë edhe njëra prej ftesave nuk dihet nëse ka shkuar në vendin e duhur, meqë siç është njoftuar organizatat e dala nga lufta nuk janë ftuar asnjëherë në Këshill.
Manifestimi i Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars organizohet nga viti 2000.