Përgatiti: Haris Ademi
Pas nëntë muajve me prezencë non-stop, rreth objektit komunal të Zveçanit nuk do të ketë më trupa të KFOR-it.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë tërhequr njësitet nga ndërtesa e komunës veriore, pas vlerësimit se siguria në këtë pjesë të qytezës është stabilizuar.
Sipas komunikatës për media të dielën, pjesëtarët e Batalionit të Forcave Operacionale rezervë do të mbesin ende në Zveçan, për të kryer patrullime të rregullta.
Misioni i KFOR-it u detyrua t’i shtojë 700 ushtarë të kësaj njësie në veri, në fund të majit të vitit të kaluar, kur plasën protestat e dhunshme të serbëve në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë.
Më 29 maj, pikërisht në Zveçan, situata eskaloi më së tepërmi. Dhjetëra ushtarë e protestues u plagosën gjatë kësaj përleshjeje, ku u përdorën armë, shok-bomba, gurë e shishe të qelqit.
Pas kësaj situate, KFOR-i u tregua më i rreptë në komunikim. Dy ditë më vonë, një epror amerikan i paralajmëroi krerët e Listës Serbe që rrinin në Zveçan, se nuk do të lejohej më skenari i njëjtë.
“Nuk mund ta harroj të hënën, sepse e hëna e kësaj jave mund të përsëritet sërish. Dhe unë s’mund ta harroj të hënën, për të vetmen arsye që të sigurohem se nuk do të ndodh kurrë më sërish”, tha një epror amerikan i KFOR-it në Zveçan.
Edhe pse pati sërish raste sulmesh ndaj ekipeve të policisë dhe të mediave, situata në komunat veriore nuk u përshkallëzua njëjtë. Derisa KFOR-i vazhdoi t’i ruajë objektet.
Njësitet paqeruajtëse janë larguan edhe nga Leposaviqi e Zubin Potoku, para se at lëshonin objekti komunal në Zveçan.
Mirëpo vetëm një ditë më parë, në këtë ndërtesë u dogj flamuri i Kosovës. Zëdhënësi policor për veri, Veton Elshani, tha se të dyshuarit janë të mitur, derisa rasti është hapur si “nxitje e urrejtjes, përçarje dhe mosdurim”. Një flamur i ri i Republikës, është vendosur sërish në këtë objekt.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






