Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Gjakovë, nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.
“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Tutje, IPK-ja bëri të ditur se po ashtu në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, është iniciuar procedurë penale edhe ndaj një ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” (duke i ofruar zyrtarit policor 1000 Euro) dhe “Deklarim i rremë” .