Përgatiti: Fatlum Jashari
Dhjetë muaj pas arrestimit dhe pezullimit të Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, bordi i drejtorëve i KEK-ut emëroi një ushtrues detyre të ri.
Detyrën e kryeshefit në këtë ndërmarrje publike do ta ushtrojë Bekir Gërguri, ndërsa Përparim Kabashi, i cili ishte caktuar në këtë detyrë më 25 Prill të vitit të kaluar, është kthyer në pozitën e tij të mëparshme.
“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a njofton se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës është emëruar z. Bekir Gërguri. Sot, gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, z. Gërguri ka pranuar detyrat dhe autorizimet e plota për udhëheqjen e të gjitha operacioneve të KEK sh.a” , thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Në pozitën e zëvendëskryeshefit u emërua Ramadan Budakova.
Megjithatë, KEK-u nuk sqaroi nëse ka ndryshim në marrëdhënien e punës me Nagip Krasniqin.
KEK-u nuk sqaroi as nëse Gërguri do ta ushtrojë detyrën deri në shpalljen e konkursit për kryeshef të ri apo krijimin e rrethanave eventuale për kthimin e Krasniqit në pozitë.
Bekir Gërguri ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist, ndërsa Ramadan Budakova njihet si përkrahës i kryeministrit Albin Kurti.
Nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, Nagip Krasniqi u arrestua më 19 Prill 2023, u suspendua nga detyra disa ditë më vonë. Ai është liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa që i ndalon t’i afrohet KEK-ut.






