Lajmin se u lirua nga akuza për korrupsion, Dhurata Hoxha nuk e dëgjoi nga gjykatorja.
Ish-ministrja e Integrimit Evropian nuk erdhi të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila e shpalli të pafajshme atë, drejtorin e Prokurimit publik, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, në rastin e një kontrate lobuese.
Prezent në sallën e gjykimit kur kryetari i trupit gjykues dha arsyetimin rreth vendimit, nuk ishte as Cukaj.
Ata akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat kur e kishin iniciuar dhe nënshkruar kontratën për lobim me një kompani franceze.
Por, Gjykata dha edhe një tjetër arsye se pse ata nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën i ngarkonte Prokuroria Speciale.
Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte ngritur pas një hulumtimi të mediumit Kallxo, sipas të cilit, afër 170 mijë euro ishin paguar nga buxheti i shtetit për kompaninë franceze, e cila kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë zgjidhje në arritjen e një marrëveshjeje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.