Përgatiti: Armand Hoti
Rezistencën ndaj ish-regjimit kasapit të Ballkanit, minatorët e minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, e bënë nën tokë. 1300 minatorë besnikë të idealit kombëtar, për tetë ditë e tetë net qëndruan larg familjeve, në horizontet e errëta të minierës.
Për dikë, dalja në sipërfaqe do të ishte edhe më e hidhur se qëndrimi në horizontet e minierës.
“I ka ardhur lajmi që gruaja tashmë i ka vdekur, ai ka thënë nuk dal, që jemi gjallë e shohim të pamën”, tha Rrahman Beqiri, minator grevist.
Por, greva e ‘89-ës u shndërrua në simbol uniteti për shqiptarët gjatë asaj kohe të cilët u dolën në krah punëtorëve të nëndheshëm. Për t’ua siguruar ushqimin, u mobilizua vetë populli.
“Unë vetëm podrumet e mensës çfarë kam parë të paketume, miell, sheqer, ilaçe çfarë jo, kanë qenë këtu të rezervuara”, tha Beqiri.
“Ka qenë një Baran i kanë thënë nuk e di kush kanë qenë ata, që e ka sjellë lopën dhe e kanë lidhur këtu te kapija, lopën e vet e ka sjellë dhe ka thënë se kjo është vetëm për minatorë”, tha Fehmi Hajredini, minator grevist.
Kurse greva mori edhe vëmendjen rajonale e ndërkombëtare.
“Telegrame dhe përkrahje kanë ardhur nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë sidomos nga Sllovenia, Kroacia nga viset e banuara me shqiptarë të Malit të Zi, por përkrahje kemi pasur edhe nga minatorët e minierave të perëndimit”, tha Hajredini.
Ndonëse të lirë, gjeneratat e reja të minatorëve të “Trepçës”, nuk janë të kënaqur me atë që gjiganti metalurgjik ofron. Kjo u manifestua me greva të shpeshta, duke kulmuar me grevën e tetorit të vitit të kaluar që zgjati dhjetë ditë.
Por, në përvjetorin e 35-të të grevës së lavdishme të minatorëve, për vizitë ishin edhe pushtetarët, të cilët premtuan angazhim për një “Trepçë” më të mirë.
“Sektorin e minierave do ta modernizojmë me qasje të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale, por edhe mjedisore”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Minatorët dolën në sipërfaqe, pasi morën lajmin për dorëheqjen e krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës.






