Përgatiti: Armand Hoti
Dy minatorë rrezikuan ta humbasin shikimin, e 11 të tjerë morën lëndime më të lehta nga acidi klorhidrik, një muaj më parë, në minierën e Trepçës në Stan Tërg.
I gjithë procesi i bartjes së këtij lëngu për pastrim të gypave, po del se është bërë pa masa mbrojtëse, e nga minatorë të pakualifikuar.
Shkelje të tjera të rënda konstatoi Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, në raportin për këtë ngjarje, të siguruar nga ATV-ja.
“Dimensionet e bidonit me acid kanë qenë shumë më të mëdha se ato të karrocës, dhe ena nuk ka qenë e lidhur për platforme. Pas arritjes së materialit në horizontin e XI-të, gjatë nxjerrjes nga kafazi të bidonit, si rezultat i peshës së liruar dhe tundjes së acidit, bidoni ka rrëshqitur nga platforma dhe është rrëzuar, duke u qarë dhe derdhur acidi klorhidrik”, thuhet në raportin e KPMM-së.
Gjetjet thonë se minatorët u rrezikuan në vend pune, meqë as nuk e dinin se dikush po e sillte acidin në atë kohë.
“Nuk është bërë vendosja e bllokadave siguruese të kafazit ndaj lëvizjeve/oscilimeve të tij gjatë bartjes dhe transportit të materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik); Nuk ka pasur dhe nuk është përfillur procedurë standarde operative për punën/transportin me materie të rrezikshme (acid klorhidrik); Udhëzimet e punës për transport të materieve të rrezikshme kanë munguar; Punëtorët e minierës nuk kanë qenë të informuar lidhur me transportin e materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik) në minierë dhe me rastin e aksidentit kanë qenë të rrezikuar”, thuhet në raportin e KPMM-së.
Komisioni i formuar nga vetë ndërmarrja, nuk ka dhënë asnjë rekomandim se si të parandalohet përsëritja e këtij aksidenti.
Për këtë joprofesionalizëm, Trepça do të gjobitet me 15 mijë euro, ndërsa KPMM do të iniciojë edhe procedura gjyqësore.
Dy minatorët e lënduar më rëndë atë ditë, janë liruar nga spitali i Mitrovicës javën e kaluar, kurse ende nuk iu kanë kthyer horizonteve të minierës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: