Përgatiti: Driton Sadiku
Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian i ka reaguar Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili një ditë më parë përmes një postimi në plaftormën X kritikoi emisarin Miroslav Lajcak për takimin me përfaqësuesit e kësaj organizate.
Sipas Bislimit, Lajcak nuk tregoi se takimi ishte në Serbi. Andaj nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian thanë se etiketimet e tij janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.
“Konsiderojmë se sjellja e tij duhet të dënohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Quintit. Puna e Grupit Punues është e hapur për publikun dhe nga rezultatet tona përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në dialog, përfshirë Bislimi. Etiketimi i organizatave të shoqërisë civile nga Bislimi është kundër frymës së Dialogut, kundër vlerave evropiane dhe parimeve demokratike”, thuhet në reagimin e NCEU.
Reagime të tilla nga zëvendësi i kryeministrit sipas njohësve të çështjes janë të pamatura dhe dëmtojnë pozicionin e Kosovës.
“Mendoj se Z.Bislimi ka qenë i pamatur në disa deklarata të tij në adresë të faktorit ndërkombëtar dhe mendoj se ai duhet të ketë kujdes sa i përket këtyre deklaratave për arsye se Bislimi nuk përfaqëson vetëm vetën e tij por edhe Kosovën e po ashtu edhe procesin dialogues”, tha Fidan Ukaj, politolog.
Thumbat nuk i kurseu as sot, vetëm se kësaj here në drejtim të diplomatëve ndërkombëtarë duke thënë se po ndërhyjnë në institucionet e pavarura të vendit, referuar presioneve për çështjen e dinarit.