Përgatiti: Arian Hajdaraj
Tregimin për ngjarjen e 31 marsit 1999, kur në këtë luginë të Pastasellës bashkë me 120 burra u vunë në pushkatim, Beqir Krasniqi do ta marrë me vete në varr përgjithmonë.
85 vjeçari që ishte i mbijetuar i kësaj masakre, vdiq në fshatin Pastasellë të Rahovecit.
“Fati deshi që të vdës pak ditë pasi I mbushi 85 vjeç…”, tha Afrim Krasniqi, djali i Beqir Krasniqit.
I moshuari në vitin 2009 kishte dëshmuar në Tribunalin e Hagës porse sipas birit të tij, nuk ishte pajuar me procesverbalin.
“Neve na kanë nda burrat veç edhe na kanë thanë me nejt si në xhami. Grupin e parë e kam pa me sy kur I kanë vra”, kishte thënë i ndjeri Beqir Krasniqi në dëshminë e tij në Hagë.
Tani për ta treguar krimin që kanë përjetuar, i gjallë ka mbetur vetëm Tahir Krasniqi.
“Prej qityne kena pshtu veç 13 burra. 12 prej tyne kanë vdek. Sot Beqiri. Veç unë kam mbet gjallë..”, tha Tahir Krasniqi.
“Na kanë marrë na kanë çu te prroi… Na kanë pushkatu me nga dy rrafalla. 17 njerëz kanë gjuajte”, tha ai.
Derisa mosha ia rëndon shëndetin, i mbijetuari i fundit, druan se do vdesë para se drejtësia të shkojë në vend për 106 burrat e vrarë.
Me këtë merak mbylli sytë edhe Beqir Krasniqi.
“Baba ka shku me marakun që nuk ka shku në ndonjë seancë me dëgju që u dënu dikush për këtë masakër…”, tha Afrim Krasniqi, djali i Beqir Krasniqit.
Beqir Krasniqi u varros në varrezat e fshatit vetëm 400 metra larg vendit ku i kishte shpëtuar plumbave.