Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Pamje si kjo është e shpeshtë në Prishtinë.
Kontejnerët janë pak metra larg. Megjithatë, mbeturinat u lanë në cepa të rrugëve. Sipas qytetarëve numri i kontejnerëve është i vogël.
“Pe shihni edhe vet këtu sa ka arrit lartësia e bërllokut, përreth këtej në tokë, nuk është që nuk po i largojnë por krahas numrit të banorëve këta kontejnerë janë shaka veç të vijnë për çdo ditë t’ a largojnë…”, tha Selim Rafuna, banor.
Qytetarët madje u frikësohen edhe epidemive.
“Këtu mundet me pas kafshë të ngordhura, baktere, mish, shumë problem duhet të reagojnë komuna e institucionet për këtë problem që kaq shumë vite…”, tha Rafuna.
“Gjendje alarmante me menaxhimin e mbeturinave” dhe “mungesa e rezultateve” sipas kryetarit Përparim Rama ishin arsyet për shkarkimin e Ilirik Musliut nga detyra e drejtorit të shërbimeve publike. Tashmë pasardhësi i tij, Bekim Bestovci, thotë se ka nisur punën për shtimin e kontejnerëve.
“Për 3 muaj jam optimist se do të fillojmë me vendosjen e kontejnerëve të ri në shumë lagje të kryeqytetit…”, tha Bestovci.
Dyshime në kohën që caktoi Brestovci për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave ka asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri. Mes tjerash ai thotë se shumicën e punëve veçse i ka përfunduar udhëheqësia e shkuar e kësaj drejtorie.
“Kam dyshimet e mia meqë kjo është një problematikë si e qenve endacak, që sa kohë, nuk është mirë të jepen afate vetëm për fillim të mandatit, meqë edhe Iliriku ka punuar shumë…”, tha Retkoceri.
1370 kontejnerët, sa janë paraparë të vijnë në lagjet e kryeqytetit në tre muajt e ardhshëm, komunës së Prishtinës do t’i kushtojnë rreth 380 mijë euro.