Përgatiti: Arton Hamiti
Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, kundër Pakos së Ahtisaarit, ishte se bashku me ta.
Pas 17 vjetësh, tashmë kryeministër, Albin Kurti përkujtoi dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Mon Balajn e Arben Xheladinin.
“Sot me 10 shkurt ne i përkujtomë me mall e dhimbje por edhe me krenari, Mon Balaj e Arben Xheladini, dy aktivistë të VV-së të cilët u vranë para 17 vjetëve nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut. 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokolleve të Kombeve të Bashkuara u hodhën mbi gjokset dhe kokat e protestuesve paqësor”, tha Kurti.
Kritikat e asaj kohe për Pakon e Ahtisarit, Kurti vazhdon t’i konsiderojë të drejta.
“Me 2 shkurt të viti 2007 pat zbritur pakoja e Ahtisarit e cila u kundërshtua dhe u kritikua nga lëvizja jonë VV, me qenë se parashihte shumë koncesione monoetnike në vendin tonë. Ne atë botë kundërshtuam ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejt vetoje për pakicën serbe, kundërshtuam realitetin mbi baza fetare, decentralizimin mbi baza etnike, kundërshtuam shuarjen e trupave mbrojtës të Kosovës dhe kundërshtuam vazhdimin e sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi neve”, tha Kurti.
Për homazhe te pllaka përkujtimore ishte edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjetër të partisë. Konjufca tha se Balaj e Xheladini, janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme për shtet të barabartë.
“Pas vitit 1999 kemi pas dëshmor siç janë Arbër Xheladini dhe Mon Balaj, këta janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti me qenë i barabarte dhe ne me qenë qytetarë të një shteti të dinjitetshëm. Kjo është arsyeja pse ranë Moni dhe Arbeni por pastaj me rënien e Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut tash së fundi po tregohet se përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë për popullin tonë edhe pas vitit 2008”, tha Konjufca.
Krerë të partisë në pushtet e familjarë, këtë 10 shkurt vizituan edhe varret e aktivistëve të vdekur.
Me organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, me 10 shkurt të vitit 2007 u mbajt protesta kundër Pakos së Ahtisaarit. Kjo njëherësh ishte protesta më masive e Lëvizjes Vetëvendosje e asaj kohe.
Policia e UNMIK-ut, konkretisht anëtarë të regjimentit rumun e ukrainas, shtënë me plumba gome ndaj protestuesve, duke lënë të vdekur 2 protestues dhe plagosur mbi 80-të të tjerë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






