Përgatiti: Arton Hamiti
Paditë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për moskompensim të diferencës në pagë, sipas gradës së pjesëtarëve, po shkojnë duke u shtuar. Mirëpo, ky dikaster ka gjasë të mos i marrë parasysh vendimet e gjykatave, meqë nuk e njeh rregulloren që e obligon rritjen e rrogës për ushtarët.
Në një përgjigje për ATV-në, Ministria përmendi një vendim të para një viti e gjysmë.
“Jemi në dijeni për disa padi, por kjo rregullore në shtojcën që ka të bëjë me pagat është pezulluar me vendimin e Qeverisë N.10/21 të datës 28.07.2021. Nuk mund të parashohim buxhet për një rregullore që nuk është në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Interpretim të kundërt ka avokati Visar Rrecaj që përfaqëson dhjetëra pjesëtarë të FSK-së. Sipas tij, rregullorja vazhdon të jetë në fuqi.
Veç në rastin e pagës, rregullorja e nënshkruar në kohën e Ramush Haradinajt, sipas avokatit, nuk u zbatua as në raste të tjera.
ATV-ja, javë më parë, kishte raportuar për një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë, vendosi në favor të pjesëtarit të FSK-së, teksa rasti është në Gjykatën e Apelit dhe ende nuk është i plotfuqishëm.
Ndryshe, rregullorja parashihte që sipas gradave, pjesëtarët të marrin këto paga: ushtari 525 euro, ushtari i klasës së parë 580 euro, tetari 641 euro, ndërsa rreshteri 708 euro.





