Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se sot është nënshkruar kontrata për nisjen e punimeve në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Ai tha se për këtë projekt janë ndarë 25 milionë euro huamarrje nga Fondi Opec për Zhvillim dhe ai Saudit për Zhvillim.
Në një konferencë për media, Aliu tha se projekti Prishtinë-Mitrovicë është njëri ndër projektet më të stërzgjatura të ministrisë.
“Nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që e lidh Prishtinë me Mitrovicën, projekt ky i cili ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë me probleme të shumta. Një ndër projektet më të stërzgjatura por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij, meqë sot arritëm të nënshkruajmë kontratën… Bëhet fjalë për një projekt 25 milionë euro që është huamarrje nga fondi Opec për Zhvillim ndërkombëtar dhe në bashkëfinancim me fondin Saudit për Zhvillim. Projekt ky i cili ka procedura të tjera dhe i njëjti ka qenë në të dyja autoritetet dhe jemi detyruar të shkëpusim para një viti. Tash një vit është shkëputur kontrata edhe është paraprirë nga një proces i auditimit. Natyrisht për të filluar procedurë të re dhe për të angazhuar kompani mbikëqyrëse dhe për të arritur kontratën është procedurë që zgjatë një vit. Krahas këtij projekti jemi edhe në fazë të përmbylljes që kemi pas nga e kaluar me çështjen e shpronësimeve nga 180 milionë euro kemi arritur t’i dërgojmë në përfundim. Nga 400 milionë euro projekte të trashëguara me 70 milionë euro buxhet po arrijmë të hapim rrugë projekte të reja. Për projektin të cilin nënshkruam sot, kontratën dua të ju njoftoj që gjatësia është 9.78 kilometra dhe bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i madh deri në Gojbulë”, tha Aliu.
Ndërkaq,zëvendësministri Hysen Durmishi tha se afati kohor për përfundimin e projektit është një vit.
“Sot jemi në ditën kur e kemi nënshkruar kontratën dhe jemi kujdesur që plani dinamik i punës të jetë i shkurtër, që nga sot janë 12 muaj kalendarikë jo ditë pune, pra sot një vit kontraktori e ka për obligim që të dorëzojë punishten e përfunduar, komplet këtë projekt. Do të kujdesemi që në fazën e parë të punojmë në segmentin kryesor deri në Vushtrri, dhe në pjesën e dytë deri bajpasin në Vushtrri që është më pak i ngarkuar në komunikacion, pra që në kohën kur vijnë mërgimtarët rruga pjesa kryesore të jetë e përfunduar në korrik-gusht, dhe mandej të vazhdojmë me segmentin tjetër”, tha Durmishi.





