Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj ka reaguar pasi deputetët e Listës Serbe u panë sot në Kuvendin e Kosovës për t’u nënshkruar vetëm sa për të vazhduar mandatin.
Ajo tha se kjo po ndodh pasi ende ka mungesë të aktakuzës për terroristin Milan Radojiçiq dhe pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka ndarë 360 mijë euro këtij subjekti politik, përmes të cilit Serbia planifikoi agresionin në Banjskë të Zveçanit.
“Organizata kriminale ‘Lista Serbe’ mbetet e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht! Mungesa e aktakuzës për (tani-ish) nënkryetarin e organizatës kriminale ‘Lista serbe’ Millan Radojçiq, dhe vazhdimi i financimit të shtetit të Kosovës me 360 mijë euro për këtë organizatë përmes së cilës Serbia planifikoi e ekzekutoi agresionin terrorist në Banjskë (ku mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku) – mundësoi që kjo organizatë kriminale të rikthehet në Kuvendin e Kosovës sot e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht!”, ka shkruar ajo në X.





