Përgatiti: Krenare Mulliqi
Një furgon i cili po bartte 117 milionë, respektivisht rreth 1 milion euro dinarë serbë drejt Kosovës, nuk është lejuar të kalojë kufirin. Furgoni u ndalua në pikën kufitare në Jarinjë.
Siç raportuan mediat serbe dinarët ishin të destinuar për pagat, pensionet, përfitimet sociale dhe pagesat tjera për serbët. Dinarët po transportoheshin në kasafortën e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.
Nga Dogana e Kosovës përmes një përgjigje për ATV-në thanë se vetëm zbatuan rregulloren e BQK-së, e cila parasheh që qarkullimi i mjeteve monetare duhet bërë prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja.
“Sot kanë ardhur përfaqësuesit e një kompanie, palës serbe, kanë pyetur në Jarinjë se a lejohet, ne ia kemi kumtuar që sipas vendimit të BQK-së, qarkullimi i mjeteve monetare duhet me u bo prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja. Ne i kemi treguar që kompania duhet të jetë e licencuar dhe e autorizuar nga BQK-ja.”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.
Lidhur me rastin reagoi edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili akuzoi Serbinë se këtë e bëri një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.
“Imagjinojeni një paralele, ku para inspektorit doganor, shfaqet njё kamion me mallra tё konsumit tё përditshëm, nga individë qё prezantohen nё emër tё kompanive inekzistuese dhe pretendojnё qё mallin janё duke e dёrguar te njё kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund nё regjistrat zyrtarё tё shtetit”, ka thënë Bislimi.
Ky është transferimi i parë i parave pas 1 shkurtit dhe hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarëve.
Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.





