Përgatiti: Krenare Mulliqi
Institucionet kosovare u pajtuan që muaji shkurt të jetë si periudhë tranzitore para ndalimit të tërësishëm të përdorimit të dinarit në Kosovë.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti, u pajtuan për t’iu dhënë më shumë kohë përgatitjeve për zbatim të rregullores.
Por Rashiq nuk dha detaje se si do të jetë kjo përudhë tranzitore.
As Qeveria në një komunikata që lëshoi mbrëmë, në të cilën njoftoi për periudhën e tranzicionit, nuk dha detaje, por u tha se gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që t’i japim të gjitha informacionet e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur dhe se do të promovojmë fushata të komunikimit.
Rashiq, i cili takoi edhe guvernatorin e BQK-së, tha se propozoi dy mënyra të implementimit dhe funksionalizimit sa i përket përdorimit të dinarit.
“BQK-ja e Kosovës dhe ajo e Serbisë të zhvillojnë mes vete një lloj transaksioni. Dje kam marrë konfirmimin nga guvernatori se ata sot do ta kontaktojnë bankën qendrore në Serbi. Është mënyra tjetër kur bankat kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt dhe përdorimi të bëhet këtu. Të gjithë njerëzit që nuk kanë llogari bankare kjo do t’i mundësojë ta hapin një pa pagesë”, tha Rashiq.
Ministri, po ashtu, tregoi se ka marrë premtim nga kryeministri Kurti që institucionet shkollore dhe mjekësore të Serbisë në komunat veriore të Kosovës nuk do të mbyllen, por funksionimi i tyre do të vazhdojë. Njëkohësisht këto institucione do të vazhdojnë të qarkullojnë dinarë.
Rashiqi, po ashtu, tha se bankat komerciale në Veri kanë qenë të paralajmëruar për vendimin e BQK-së qysh në shtator të viti 2022, por nga atëherë nuk ka pasur asnjë vullnet nga ana e bankave për t’u pajisur me licencë.





