Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se hetimet zyrtare për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre, raporton KosovaPress.
Osmani, pas takimit me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se për t’i parandaluar këto sulme në të ardhmen nevojitet përkrahja e Gjermanisë.
Ajo akuzoi Serbinë se po vazhdon të mbështesë grupet paraushtarake për të planifikuar sulmet e reja.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, nënvizoi nevojën për maturi dhe kujdes që mos të nxiten tensione të reja në veri.
Ai tha se Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj në vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, por shtoi se nevojitet kohë për informim.
“KFOR është garantues për stabilitet dhe siguri. Stabiliteti i Kosovës dhe rajonit është i një rëndësi të veçantë për ne”, theksoi ai.