Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa përmendi disa nga të arriturat e vitit të kaluar, ka thënë se bazuar në programin kombëtar për zhvillim 2024-2026, sektori i shëndetësisë, synon dy qëllime strategjike, të cilat përfshijnë përmirësimin e cilësisë dhe çasjes së shërbimeve shëndetësore, si dhe ruajtjen e përparimin e shëndetit.
Vitia këtë e tha sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, derisa foli për planin dhe prioritetet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2024. Ai potencoi se parashikohet hartim i projektligjit për shëndetësi, sigurime shëndetësore, pajisje dhe produkte mjekësore, inspektoratin qendror të shëndetësisë, hartimi i projektligjit për shëndetin mendor dhe ai për kontrollin e duhanit.
Vitia tha se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore, janë në proces. Ai shtoi se vendosja e standardeve për sigurinë e barnave dhe përballueshmërinë e çmimit të tyre është në fazën e fundit.
Përveç këtyre, Vitia përmendi se janë siguruar tri vaksina të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke përfshirë edhe vaksinën HPV për parandalimin e kacerit në qafën e mitrës.
Ndërkaq, diskutime rreth Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) e shërbimeve pati ndërmjet anëtarit të komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe ministrit Vitia, ku u tha se përgjatë disa viteve janë shpenzuar miliona euro, por që nuk është bërë zgjidhje.
Haxhiu tha se nuk mund të flitet as për shëndetësi moderne e bashkëkohore derisa nuk kemi sigurime shëndetësore, derisa shtoi se listat e pritjes vazhdojnë të jenë prezente.
Ai potencoi se nga ministri Vitia po përmenden vetëm renovimet, ndërkaq nuk ka rritje të shërbimeve.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se edhe pas katër vitesh qeverisje, nuk ka përmirësime sa i përket sigurimeve shëndetësore, ligjit për shëndetësi, reformimit në sistemin shëndetësor e të tjera.
Ndërkaq, lidhur me këto, ministria Vitia tha se renovimet nuk janë duke u bërë vetëm sipërfaqësisht, por në mënyrë rrënjësore.
Vitia tha se ngecja dhe mos funksionalizmi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka ardhur si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë, për çka shtoi se po punohet vazhdimisht në këtë proces.
Ministri Vitia është pyetur nëse ka një strategji për t’i ndal mjekët dhe specializantët.