Përgatiti: Kastriot Tahiri
Më shumë se dy dekada pas luftës, janë identifikuar se eshtrat që u gjetën gjatë gërmimeve vitin e kaluar në lagjen Mati 1 të Prishtinës, janë të Behram Imerit.
Për fatin e Imerit nga fshati Pantinë i Vushtrrisë, askush nuk diti gjë që nga koha kur ishte mbajtur në burgun e Dubravës.
Kemi hasë në eshtrat e dy personave, ka zgjatur 5-6 muaj deri i kemi marrë analizat e ADN-së, e një nga ta është identifiku, një person që quhet Behram Imeri, nga Vushtrria, ai ka qenë burgosur në burgun e Dobravës, dhe që nga ajo kohë është kanë person i zhdukur”, tha Kryetari Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Lajmi për identifikimin e trupit të tij ka gëzuar familjen e bashkëvendësit.
“E kam taku në burgun e Dobravës, kur na qitshin në shëtitore, e kom thirrë me za e i kom tregu që jam djali i filanit, ja kom bo me dorë. Kanë qenë familjarë të mirë. Kanë menduar që është i humbur e kanë transferua diku, e kanë dërgu diku e s’gjendet kurrë veç shumë mirë që i kanë gjet tash, perime shumë mirë”, tha Sami Rexha, banor i fshatit Pantinë.
“Ka qenë njeri i urtë dhe i disiplinuar. Është shumë mirë për të gjithë, viktimat kishim pas qejf që më u gjet eshtrat e tyre për shkak të familjarëve të tyre, që me pas një varr ku me shkua e me shpreh ngushëllime”, tha Shemsi Binaku, banor i fshatit Pantinë.
Edhe disa rezultate të tjera po priten të dorëzohen te Këshilli i Familjarëve të Personave të Zhdukur.
“Një numër i analizave ka mbërri nga Tuzlla, por për fat e kemi veç një rast që është idetifiku i cili do të varroset të shtunën”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjarëve të Personave të Zhdukur.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona e Zhdukur, gjatë vitit të kaluar janë kryer gërmime në mbi 15 lokacione, në të cilat janë gjetur 77 mbetje mortore, për rezultatet e të cilave janë ende në pritje.