Përgatiti: Fatlum Jashari
As më 1 Shkurt, në Mitrovicë të Veriut, Elektroseveri nuk i shpërndau faturat e energjisë elektrike.
Televizioni merr vesh se kjo kompani nuk i ka printuar ende faturat.
Megjithëkëtë, punonjës të saj u kanë thënë qytetarëve në këtë komunë se duhet të paguajnë paushall 25 deri në 30 euro, për muajin Janar.
Mes paqartësish për faturat, asamblisti në Mitrovicë të Veriut, Betim Osmani, tregoi se punonjësit e Elektroseverit i kanë paralajmëruar qytetarët se në rast se nuk paguajnë tash, do t’iu grumbullohet borxhi.
“Jo, jo, fatura për këtë muaj nuk ka. Vetëm u është bërë me dije qytetarëve që e kanë një lloj paushalli 25 Euro dhe se më mirë është tash të shkoni ta paguani, që në fund të muajit shkurt ose mars, të mos u bëhen 25+25 ose 30+30, 60, dhe mos u ankoni pastaj që janë shumë, por llogariteni si një lloj minimumi i shpenzimit është 25-30 euro”, tha Osmani.
Praktika e paushallit pritet të vazhdojë deri në vendosjen e plotë të matësve.
Këtë situatë, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi si përpjekje për ta shtyrë zbatimin udhërrëfyesit për energjinë.
“Ky tentim për me shty po vjen prej Elektroseverit, një kompanie që është bërë shumë luftë për t’u licencuar, për të fituar të drejtën për të bërë faturimin në atë pjesë. Në këtë rast, është një bashkëpunim i Elektroseverit me qytetarët serbë për të gjetur mënyra, si të mos paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar”, tha Shabani.
Sidoqoftë, Shabani theksoi se kostoja buxhetore më nuk rëndon mbi taksapaguesit.
“Elektroseverit tash i mbetet barra që ose ta paguajë vetë energjinë e shpenzuar prej qytetarëve, të cilët e kanë pranuar atë energji, ose të gjejë alternativa për ta paguar shpenzimin e energjisë elektrike”, tha Shabani.
Të hënën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e liroi KOSTT-in nga barra për mbulimin e humbjeve, si pasojë e energjisë së shpenzuar dhe të papaguar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Nga 1 Janari, energjia e shpenzuar në këto komuna i llogaritet Elektroseverit.