Përgatiti: Fatlum Jashari
Bashkimi Evropian është i palëkundur në qëndrimin se, për Kosovën dhe Serbinë, dialogu dhe anëtarësimi janë procese pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, qëndrimeve politike dhe jo vetëm atyre.
Qëndrimi i BE-së përbën përgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndarë këto procese.
“Pa përparim në dialog nuk ka përparim në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është e shkruar në një numër dokumentesh, konkluzash të Këshillit, konkluzat e këshillit nga viti 2013, 2014 deri më 2022, në kornizën negociuese të Serbisë, në komunikimin për zgjerim këtë vit, raportet për Kosovën dhe Serbinë. Është shumë e qartë se çfarë pret BE-ja dhe shtetet anëtare, kur bëhet fjalë për anëtarësimin dhe dialogun. Në fakt është pjesë e procesit të njëjtë. Dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura… Sigurisht nëse ka progres në njërën anë, do të reflektojë në procesin e anëtarësimit të partnerit në fjalë”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Pa komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili mbrojti grupin terrorist-paramilitar të udhëhequr nga Milan Radojcic, BE-ja njoftoi se nuk mund të veprojë pa raportin përfundimtar hetimor nga institucionet e Kosovës.
“Është e qartë që BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë që mund të kontribuojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kush janë fajtorët, kush e organizoi, kush mori pjesë, etj. Pozicioni ynë është i qartë, por që të vihemi në lëvizje dhe të nxjerrim pasojat, duhet t’i shohim rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të hetimit të kryer nga autoritetet kosovare”, tha Stano.
Katër muaj nga sulmi, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse raporti përfundimtar është gati dhe se kur do t’ia përcjellë Bashkimit Evropian.