Përgatiti: Arton Hamiti
Duke folur për vlerën e faturave të rrymës, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se Qeveria Kurti nuk ka vizion dhe kapacitet për ta menaxhuar situatën me energjinë elektrike.
Visar Azemi konsideron se për shkak të paaftësisë së ekzekutivit, qytetarët po pranojnë fatura me çmime të papërballueshme.
“Qytetarët e Kosovës sot vazhdojnë të paguajnë fatura me tarifa të papërballueshme në një kohë kur secili produkt tjetër elementar është shtrenjtuar. Mos të harrojmë se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, i cili si opozitar, pikërisht këtyre qytetarëve u thoshte se çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, përderisa qytetarët e Kosovës qëndronin mbi thëngjill”, tha Azemi.
Teksa kritikoi ministren Artane Rizvanolli për vendimet e marra në fushën e energjetikes, Azemi shtoi se LDK-ja është e vetmja parti që ka program specifik për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike.
“Në një moment kur Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli, me projektin amerikan të gazit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli, bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan këtë projekt duke u arsyetuar se çmimi dhe kostoja e lartë mund të bënin investime të tjera me një rrisk tjetër me kosto më të ulët e rrisk më të ulët… Kosova, që sipas kësaj qeverie, synon që deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme vazhdon të mos bëjë asgjë, vazhdon të mos ketë vizon dhe të jetë e paaftë në dinamikat që i kemi parë deri sot”, tha Azemi.
Mes tjerash, anëtari i Lidhjes Demokratike tha se në kohën e krizës energjetike, Blloku A5 u la qëllimshëm jashtë funksionit që Martin Berishaj të tregtonte energji elektrike me shifra të larta.