Mbi 300 aplikime të pashqyrtuara në KPMM, s’ka bord për t’i shqyrtuar ato

Përgatiti: Armand Hoti

Makineritë i mbetën të fikura.

Në mungesë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, aplikimi për shfrytëzim të resurseve, i biznesmenit, Daut Fazlija, i cili është pronar i një gurthyesi në Caralevë të Shtimes, ka mbetur pa u shqyrtuar.

Rrjedhimisht, Fazlija nuk mund ta shfrytëzojë gurin në pronën e tij.

“Mua më është ndërprerë puna në qershor të vitit të kaluar, mirëpo, duke falënderuar policinë dhe drejtorinë për miniera më janë lejuar dy minime speciale për rehabilitim të zonës… Jo, jo nuk sjell shumë përfitime, sepse janë minime të vogla, por të më lejojnë që gjatë kësaj me e rehabilitu këtë zonë, unë do e kisha përfundu këtë zonë dhe do e prisja Bordin”, tha Fazlija.

Në mungesë të licencës për shfrytëzim, ai detyrohet ta blejë gurin, pasi që kompania e tij është fituese e projektit për kryerjen e punëve anësore në hekurudhën Fushë Kosovë – Hani Elezit.

“Unë e kam një projekt ndërkombëtar, hekurudhën e trenit, d.m.th. Han i Elezit Fushë Kosovë, e kom marrë shumë të “Alba” në Kaçanik dhe disa kompani në Kaçanik, pra janë çmimet asi soji që nëse nuk e kam gurin tim është problem të fitoj, po duhet me humb nga pak”, tha Fazlija.

Por aplikimi i Fazlijës nuk është i vetmi që nuk është shqyrtuar. Referuar të dhënave të KPMM-së, saktësisht 303 aplikime të kategorive të ndryshme ende s’janë shqyrtuar.

“Po, ka ndërmarrje që kanë projekte kapitale nga Bashkimi Evropian dhe janë peng i mospajisjes me licencë dhe leje. Kemi shumë ndërmarrje që e kanë dorëzuar aplikacionin e kompletuar në KPMM për vazhdim të Licencës /Lejes. Në mungesë të Bordit nuk mund të pajisen, çka nënkupton se ndërmarrjet nuk e kanë statusin aktiv, por të skaduar. Nëse ato zhvillojnë aktivitet konsiderohet veprim i jashtëligjshëm, si veprime të tilla ka disa tek lejet për aktivitete të veçanta”, thuhet në njoftimin KPMM-së.

Më 20 janar ka përfunduar afati për aplikimin e kandidatëve që synojnë pozitën e anëtarit të bordit të KPMM-së.

“Numri i kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të bordit të KPMM-së është gjashtëdhjetegjashtë (66). Anëtarët e komisionit janë njoftuar për mbylljen e konkursit për anëtarë të Bordit të KPMM-së, dhe komisioni do të takohet në ditët në vijim për fillimin e shqyrtimit të CV-ve. Komisioni posa t’i përfundojë procedurat, do t’ia propozojë Qeverisë kandidatët për miratim. Pas miratimit në Qeveri, kandidatët e përzgjedhur do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Tashmë është bërë mbi një vit që KPMM-ja ka mbetur pa bord aktiv që do t’i shqyrtonte aplikimet. Bordi i KPMM-së përbëhet nga pesë anëtarë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA