​Kurti: Për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten.

Kurti gjatë tryezës në Shkup, në kuadër të samitit për Planin e Rritjes të Ballkanit Perëndimor, nënvizoi se besimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndodhin nëse liria për mallra shfrytëzohet për bartjen e municioneve.

Ai para liderëve rajonal por edhe përfaqësueseve politik nga BE-ja dhe ShBA-ja tha se anëtarësimi në Bashkim Evropian duhet të bazohet në merita.

“Plotësisht e pranojmë qasjen që i kushtëzon mjetet me përafrimin e vlerave të BE-së, po ashtu i rritë përfitimet e Ballkanit Perëndimor dhe njëkohësisht e rritë edhe anëtarësimin e plotë për ata që janë të përkushtuar. Besojmë se aderimi në BE duhet të bazohet në merita. Ky plan i rritjes nuk është vetëm për reforma dhe rritje ekonomike, por gjithashtu duhet të jetë mundësi për bashkëpunim më të fuqishëm rajonal në vendet e Ballkanit. Duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të jemi të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona. Kosova është e gatshme për reforma që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen. Kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten. Kërkova besim dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe popujve tanë. Kjo nuk mund të ndodh nëse liria për mallra shfrytëzohet që të barten municione”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor është i dobishëm, por duhet iniciativa më të shpeshta të BE-së për t’i ulur bashkë liderët rajonal, pasi sipas tij, të njëjtit mund t’i bëjnë punët pisë.

“Patjetër se duhet të vendosim një rreth politik sikur kishim mbrëmë. Të takohemi rregullisht për shkak se edhe pse jemi shumë entuziast ne jemi ballkanas. Nëse nuk vini për të na ulur bashkë në tryezë mund t’i bëjmë punët pisë. Koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm, ministrat ekonomik të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet të harrojnë historinë, andaj duhet të harroni se cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm është ai i BE-së, duhet të ulemi dhe teknikisht t’i diskutojmë detajet, shiritat e gjelbër dhe kështu me radh që të realizojmë këtë”, deklaroi Rama.

E, nikoqiri i samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se ky samit është një lehtësim për vendet rajonit që do t’i hap dyert drejt tregjeve botërore për lirinë e mallrave dhe qytetarëve.

“Një lehtësim që hap dyert e tregjeve botërore, mallrave, njerëzve dhe kështu me radhë. Kjo kornizë strukturore e fuqizuar me mbështetje financiare është një çelës për integrim më të shpejt. Gjithashtu rregullon edhe standardet me BE-në, duke promovuar integrim në rajon dhe BE. Kjo strategji për integrim të dyfishtë jo vetëm që përshpejton qasjen në BE, por jep edhe rezultate të mira, siç është tregtia dhe investimi më i madh, konkurrenca më e mirë dhe ligjshmëria rajonale më e mirë”, tha ai.

I hapur për krijimin e tregut të përbashkët rajonal u shpreh edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Kur flasim për tregun e përbashkët rajonal ne jemi të hapur për të gjitha idetë, të gatshëm për të realizuar dhe besojmë thellë se mund të bëjmë këtë. Unë kam një lutje të madhe për të gjithë ju organizatat rajonale të BE-së që të na ndihmoni me çështje që ne duhet të zgjedhim disa probleme të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi. E dini se duhet të harmonizohemi kur flasim për masat ekonomike dhe për politika të ndryshme para se të hyjmë në BE”, deklaroi Vuçiq.

Nga Bashkimi Evropian, drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, theksoi se ideja e rritjes së BE-së përshpejton aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt bllokut dhe se qëllimi është që të dyfishohet ekonomia.

Ai u shpreh entuziast për një gjë të tillë, megjithatë, tha se vendet e rajonit nuk duhet t’i bllokojnë fqinjët e tyre, pasi nuk do të kenë mundësi për hyrje në tregun e BE-së.

“Qëllimi është që të dyfishohet ekonomia. Mësimet nga zgjerimi paraprak tregon se pikërisht tregu është vital. Tregjet rriten menjëherë pas aderimit në BE, deri tani janë rritur trefish prandaj është ky plani i rritjes. Kjo dëshiron punë, pasi për të hyrë në tregun e brendshëm nevojitet shumë punë. Ne tani i kemi përveshur mëngët që të angazhohemi, kjo mund të ndodh vetëm kur qeveritë e rajonit konsiderojmë se kjo është prioritet i lartë dhe të sigurohen se ndryshimet po miratohen. Këtu logjika thotë se ne do t’iu ndihmojmë të integroheni mes veti, derisa të integroheni në tregun e brendshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi pa integrim të rajonit, ju nuk mundeni t’i shfrytëzoni mjaftueshëm leverditë e tregut të brendshëm. Këto dy gjëra duhet të shkojnë së bashku. Prandaj ne vendosëm kusht në këtë pjesë të planit të rritjes që thotë se ju nuk duhet t’i bllokoni fqinjët e juaj. Nëse i bllokoni fqinjët, atëherë nuk do të ketë mundësi për hyrje në tregun e brendshëm, pasi kosto e bashkëpunimit është shumë e lartë”, theksoi Koopman.

Ndërkaq,ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kërkoi po ashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund t’i bllokojnë fqinjët në nismën për zhvillimin ekonomik, e sipas tij, kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të përballet me pasoja.

“Në këtë proces askush nuk do të bllokojë dikë tjetër, pasi s’ka të drejt të vetos. Askush nuk do ta pengojë të drejtën për avancim pasi s’ka çështje dy palëshe të pazgjidhura. Kush e bënë këtë do të ballafaqohet me pasoja. Nëse një shtet dëshiron të pres dhe të vëzhgojë atëherë qytetarët e atyre shteteve duhet të vendosin nëse këta liderë politik janë të duhurit. Ajo që me të vërtet u inkurajova në këtë diskutim është se secili liderë e vëren dhe sheh rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim. Ky ishte një takim me shpresë të madhe dhe premtim për punë të mëtutjeshme dhe do të shohim si do të avancojmë më tej”, theksoi O’Brien.

Iniciativën e konsideroi të dobishme edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA