Përgatiti: Pranvera Krasniqi
I filluar në vitin 2020, projekti për ndërtimin e stacionit të ri të Autobusëve në Ferizaj, ende nuk ka përfunduar.
Ndonëse i paraparë të finalizohej në dhjetor të 2023-tës, punimet në këtë projekt, sipas Komunës, janë stërzgjatur për shkak të motit, megjithatë do të finalizohen për disa ditë.
“Faza e punimeve të stacionit të autobusëve është kah fundi. Në fund të këtij vitit pritet inaugurimi i tij, pasi që kanë mbetur edhe disa punë të kryhen. Punimet janë stërzgjatur, apo stacioni nuk u finalizuar për shkak të ndryshimeve klimatike dhe nuk vazhduan punimet por besoj që është çështje ditësh”, tha zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci.
Stacioni aktual ka një ngarkesë ditore të konsiderueshme me hyrje-dalje të autobusëve, andaj qytetarët e shohin shumë të nevojshme inaugurimin sa më të shpejtë të stacionit të ri.
“Këtu është tepër ngushtë, kemi pas nevojë për një stacion të ri. S’ka hapësirë, nxënës shumë, s’ki ka sillesh”, tha Avni Krivanjeva, qytetar.
“Është dashur më herët të bëhet stacioni i ri se këtu ka shumë pak hapësirë. Duhet të bëhet sa më shpejt stacioni i ri se këtu është kah krijohet edhe tollovi, sepse ka shumë nxënës e punëtorë”, tha Nuhi Sylaj, qytetar.
Ndërtimi i stacionit të ri të autobusëve, komunës së Ferizajt i ka kushtuar 1.6 milion euro. Ndërkaq, zyrtarët komunalë janë duke i shqyrtuar mundësitë që në një fazë të ardhshme, qytetarët t’i kenë në dispozicion edhe autobusët e trafikut urban.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: