Garazhi i Pallatit të Drejtësisë mbushet me lojëra të fatit

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka mundur të futej direkt në gjykatore.
Edhe sulmuesit e gazetarit Valon Syla, gjithashtu.

Megjithatë, ata duarlidhur, u sollën në hyrjen kryesore, pasi hyrja përmes garazhit të këtij pallati është e bllokuar.

Garazhi nëntokësor i cili ka për qëllim bartjen e të paraburgosurve në sallën e gjykimit, tani po shfrytëzohet si depo për pajisjet e lojërave të fatit.

Askush nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk e di se kush dha urdhër për vendosjen e këtyre pajisjeve nga kampi Belvedere në Mitrovicë në Pallatin e Drejtësisë.

“Menaxhmenti i GJTH Prishtinë, Kryetarja e Gjykatës dhe Administratori asnjëherë nuk janë njoftuar nga askush se me urdhër të kujt janë sjellë ato aparate aty, përveç njoftimit që kemi pranuar se ato aparate do të vendosen në atë pjesë të objektit. Menaxhmenti i kësaj gjykate në vazhdimësi e ka kundërshtuar këtë vendim, duke u thirrur në atë se, po me këtë veprim do të pamundësohet përdorimi i pjesës së gjykatës për sjellje të personave të privuar nga liria dhe se nuk ka asnjë qasje tjetër për këta persona, përpos hyrjes kryesore dhe kjo do të mundësojë ekspozimin para mediave, palëve, por njëkohësisht paraqet edhe rrezik për sigurinë e tyre, por edhe të personave të tjerë, pra paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kështu, të gjithë të paraburgosurit, pavarësisht shkallës së rrezikshmërisë duhet të përdorin hyrjen e njëjtë me palët e tjera dhe stafin e gjykatës.

“E para për me mbrojt privatësinë e të burgosurve ose personave të privuar përkohësisht nga liria, për shkak se ekziston prezumimi i pafajësisë dhe askush nuk duhet të linçohet ose të gjykohet publikisht, t’i nënshtrohet një gjykimi të publikut përderisa një gjykatë nuk vendos me aktgjykim të plotfuqishëm për fajësinë ose pafajësinë. E dyta garazhet nëntokësore mundësojnë edhe sigurinë më të madhe për të paraburgosurit ose të burgosurit, duke qenë se moskontakti me njerëz ose moskontakti me rrethana dhe faktorë të tjerë jep mundësi më të madhe për ta ruajtur sigurinë”, tha Arbër Jashari, avokat.

ATV-ja nuk është lejuar të filmojë hapësirën se ku mbahen këto pajisje, ndërsa ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës lidhur me vendosjen e tyre në garazhin e Pallatit. Por, në këtë institucion nuk kanë dhënë përgjigje.

Kjo hyrje alternative edhe para vendosjes së lojërave të fatit ishte jofunksionale për shkak të defekteve në ashensor.

Megjithatë, sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme, ashensorët e Pallatit të Drejtësisë janë funksionalizuar.

“Ju njoftojmë se dyert e hyrjes së garazhit në nivelin -3, në ndërtesën D Pallati Drejtësisë, tashmë janë rregulluar. Ndërsa, sa i përket ashensorit, në pjesën ku janë qelitë është rregulluar në nivelin -3, objekti D Pallati Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA