Përgatiti: Donisa Fazliu
Edhe pse është e ndalur me ligj, pirja e duhanit në ambiente të mbyllura po vazhdon.
Ligji për kontrollin e Duhanit nuk po zbatohet, ani pse 8 muaj më parë, Qeveria e Kosovës formoi edhe Këshillin Ndërministror për Kontroll të Duhanit, këshill ky që kishte për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Madje vetë kryeministri Albin Kurti kishte thënë se do te ketë ZERO tolerancë, për ata që nuk e respektojnë këtë ligj.
Pavarësisht kësaj, duhani po pihet lirshëm në hapësira të mbyllura.
Sipas qytetarëve, numri i inspektorëve duhet të rritet.
Se numri i inspektorëve është i ulët e thonë edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. Sipas sekretarit të kësaj Shoqate, në shumë lokale të gastronomisë nuk respektohet Ligji i Duhanit.
“Mua personalisht më ka thirrë në takim ministri Vitia para një muaji, që do të ketë më shumë aksione të respektimin e këtij ligji. Ka pasë si zakonisht inspektime dhe e kam ditë që nuk do të jetë e kënaqshme sepse nuk janë politika të mjaftueshme dhe ata duhet të fokusohen më shumë”, tha Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, sa i përket numrit të gjobave të shqiptuara, si dhe për inspektimet në përgjithësi, mirëpo ajo gjatë të hënës nuk është përgjigjur.
Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013, i cili parasheh ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura. Sipas Ligjit për kontrollin e duhanit, nëse tymoset në hapësirat e ndaluara me ligj, gjoba për subjektet afariste është nga njëmijë deri në tremijë euro, derisa për persona fizikë 30 deri në 50 euro.





