Përgatiti: Kastriot Tahiri
Ka më shumë se 8 vjet, që ndjesinë e bankave shkollore nuk e përjetojnë.
E pikërisht këtë rrugë përmes së cilës dikur shkonin në shkollë, sot e përshkojnë për të shkuar në punë.
Njëri 15 e tjetri 13 vjeç, shkollimin e përmbyllën qysh në klasë të 6-të.
Ndonëse, dëshira për të vazhduar shkollimin është e madhe, kushtet ekonomike po ua pamundësojnë një gjë të tillë.
Fatin e njëjtë e patën edhe bashkëmoshatarë të tjerë.
Në strategjinë shtetërore për rininë për vitin 2024 – 2032, thuhet se rreth 58 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian nuk vijojnë fare shkollimin e mesëm të lartë. Ndërkaq, atë të mesëm të ulët e ndjekin vetëm 20 për qind prej tyre.
Këto shifra për njohësit e arsimit janë shqetësuese. Salie Gajtani Osmankaq thotë se përveç kushteve ekonomike, edhe diskriminimi ka ndikuar që fëmijët e komunitetit ta braktisin shkollimin.
“Braktisja e shkollimit te komunitetet, por edhe mosvijimi i arsimit të lartë bëhen për dy arsye: standardi ekonomik se detyrohen për me e mbajtë familjen. E element tjetër shumë shqetësuese është nga frika për diskriminim racor e bullizëm”, tha Salie Gajtani Osmankaq, njohëse e arsimit.
Megjithatë, rreth 120 fëmijë që nuk vijuan mësimin fillor, shkrimin dhe leximin mund t’i mësojnë edhe në qendrën ditore për fëmijët me situatë rruge, në Prishtinë.





