Përgatiti: Donisa Fazliu
Kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, për mos hartimin e një draft statuti të Asociacionit, ka shprehur Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se kryeministri Kurti duhet që të merr vendim ta pranojë ose të refuzojë draftin e propozuar nga euro-amerikanët.
“Ka qenë përgjegjësi e tij që të hartojë draftin që prej ditës që e ka marrë detyrën si kryeministër. Ne e kemi inkurajuar të bëjë një gjë të tillë, publikisht dhe privatisht në ato pak takime që jemi parë. Kosova do të duhej vetë të shkruajë draftin, në mënyrë që të bënte të qartë pozicionimin e vet institucional dhe shtetëror, dhe normalisht të kishte një pozicion shumë më të favorshëm në diskutimet e mëvonshme sa i përket arritjes së një pajtueshmërie me ndërmjetësit ndërkombëtarë”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, drafti i Asociacionit krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovës, pasi sipas tij, ky draft ka kompetenca të qarta ekzekutive.
“Drafti i statutit është absolutisht i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës, krijon paqartësi të cilat vërtet mund të rrezikojnë karakterin e shtetit tonë në të ardhmen. Definitivisht krijon mundësi konkrete për krijimin e niveli të ri të pushtetit, pasi asociacionit i japin kompetenca të qarta ekzekutive. Në ditën e miratimit të tij dhe themelimit të asociacionit, drafti mund të duket që nuk ka kompetenca të shtuara ekzekutive, por hapat pasues të cilat i lejon të ndërmerre në nivel të komunave dhe asociacionit si trup i ri krijojnë një nivel të ri të pushtetit”, tha Krasniqi.
Kritikave të opozitës iu është përgjigjur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila.
“Kryeministri ka shprehur gatishmërinë të nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshje aneksit dhe zbatimit të Ohrit në tersi, nuk ka thënë që është draft i Asociacionit në veçanti i pranuar dhe me aq përmbyllet ky proces. E dyta që si draft është draft i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria vetëm ka dorëzuar komentet dhe e treta që nuk mund të këtë mekanizëm tjetër jashtë mekanizmit të institucioneve të Kosovës që bënë zbatim të tij”, tha Kusari- Lila.
Më 21 tetor të vitit të kaluar, emisarët euro-amerikanë paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vete menaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





