Përgatiti: Benita Zeneli
Ta mbrojnë shtetin e Serbisë nuk duan as ata që paguhen për këtë. Sipas të dhënave të Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, rreth 12 mijë profesionistë janë larguar nga ky institucion për shkak të kushteve, derisa mosha mesatare e ushtrisë serbe është 44 vjet.
Këto të dhëna u publikuan në mediat serbe, pas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë që i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.
Një gjë e tillë ishte pezulluar tash e 13 vjet e sipas Ministrisë së Mbrojtjes, atje ushtria ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë. Ambiciet e shtetit serb për të shtuar numrin e ushtarëve ngjallën reagime edhe në Kosovë.
“I kanë ble pajisjet e armatimin, por nuk kanë kapacitete njerëzore. Ata deklarojnë ndryshe në kuptim të vlerësimit të rreziqeve…, por realiteti lidhet me Kosovën dhe rajonin në përgjithësi me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën në veçanti”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.
“Ky kontingjent që dalin në rrugë e protestojnë se janë të pakënaqur me sistemin social ekonomik e me perspektivën brenda vendit dëshiron t’i mbyllë ku edhe i disiplinon dhe i ushqen me frymën e patriotizmit”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.
Por shtimi i numrit të ushtarëve serbë nuk ka efekt në çështjet e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.
“Kurrë Serbia nuk do ta shuajë ambicien e Kosovës… nesër me na gjet të papërgatitur na sulmon.. çka është detyrë e jona, nuk është preokupimi pse ata po e bëjnë detyrimin apo e rritin kapacitetin, se kjo është koncept komunist, sepse nuk e ka efektin, preokupimi ynë është ngritja e kapaciteteve ushtarake profesioniste që i kemi në plan”, tha Berisha.
“Nuk ka kurrfarë efekti në çështje të sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës, kurrë pa dashtë me shmang atë që Serbisë nuk i shuhet ambicia për Kosovën. E jona është që t’i ngremë standardet dhe kapacitetet dhe do të shihet që Serbia nuk paraqet rrezik.”
Serbia ka pothuajse 22 mijë e 500 ushtarë aktivë, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka vite që nuk ka publikuar të dhëna të sakta, edhe pse është e obliguar ta bëjë.





