Përgatiti: Krenare Mulliqi
Oborri i Qeverisë jo rrallë u bë vendtakim i punëtorëve të institucioneve të ndryshme.
Përmes protestave ata shprehën pakënaqësitë e tyre që i kishin me Qeverinë e Kosovës.
Madje, për herë të parë gjatë 2023-tës, para ndërtesës së ekzekutivit në rolin e protestuesve doli njësia më elite e Policisë së Kosovës, që kërkoi kushte më të mira për punë.
Përveç që i mori shtesat me 9 muaj vonesë, kjo njësi nuk pajtohej me shumën që ndau Qeveria për të.
Mirëpo, ndryshe nga policët shtesa të rrezikshmërisë nuk gëzuan zjarrfikësit. Për këtë dhe arsye të tjera, ata në muajt e fundit të vitit që lamë pas, organizuan dy herë protesta.
Protestë pati edhe nga ana e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ndërkaq, para Qeverisë nuk u mblodhën, por minatorët vendosën që grevën ta zgjedhin si opsion për t’i shprehur pakënaqësitë. Për 10 ditë sa mbajtën grevë ata u përballën edhe me probleme shëndetësore derisa një marrëveshje e arritën.
Njohësit e çështjeve politike dhe të atyre të drejtësisë e kritikojnë sjelljen e qeverisë ndaj kërkesave të punëtorëve.
Protestat nuk munguan as nga punëtorët shëndetësorë, shkak ishte ulja e pagave që u bë në disa sektorë me ligjin e ri të pagave.





